Pak vende në botë arrijnë të mbulojnë 100% të nevojave për energji elektrike, në momentin kur ajo kërkohet nga konsumatori. Për këtë arsye, vendet e zhvilluara kanë integruar tregjet, kanë hapur tregjet e energjisë elektrike dhe kanë krijuar kushte që energjia të qarkullojë lirshëm përtej kufijve shtetërorë – pa pengesa teknike apo burokratike.
Në rastet kur energjia elektrike nuk mund të sigurohet nga burimet e brendshme, alternativa e vetme mbetet tregu ndërkombëtar i energjisë – i njohur si bursa. Në këto bursa, energjia grumbullohet virtualisht si një produkt dhe tregtohet ndërmjet gjeneruesve të energjisë dhe konsumatorëve përfundimtarë. Kjo formë e tregtimit shoqërohet me një kosto shtesë, e njohur si komision tregtimi apo komision brokerimi, e cila i shtohet çmimit të energjisë.
Pas shitjes së energjisë, për të mundësuar transmetimin fizik të saj, është e nevojshme të sigurohet qasja në rrjetin e tensionit të lartë (110 kV deri 400 kV), i cili shpesh quhet “autostrada e energjisë”. Ky transmetim ndërkufitar kërkon blerjen e të ashtuquajturave kapacitete ndërkufitare (cross-border capacities), të cilat përfaqësojnë një kosto shtesë mbi çmimin bazë dhe komisionin e tregtimit për pjesëmarrësit në treg.
Pavarësisht se ku blihet energjia elektrike, ajo duhet të kalojë fizikisht nëpër rrjetet e transmetimit të shteteve përkatëse deri në destinacionin final (p.sh. Hungari–Serbi–Mal i Zi–Kosovë; ose Bullgari–Maqedoni e Veriut–Kosovë; apo Greqi–Shqipëri–Kosovë, etj.). Ky proces, i njohur si transit, i nënshtrohet një tarife të veçantë në secilin shtet ku kalon energjia. Për çdo megavat-orë (MWh) që kalon përmes një vendi, aplikohet një kosto shtesë e transmetimit, e cila i faturohet blerësit të energjisë.
Kosova ka katër pika kryesore ndërkufitare përmes të cilave realizohet shkëmbimi i energjisë elektrike:
- Kosovë – Shqipëri
- Kosovë – Mali i Zi
- Kosovë – Maqedonia e Veriut
- Kosovë – Serbi (aktualisht jashtë funksionit)
Në shumicën e rasteve, këto kapacitete shiten në ankande paraprake dhe, për fat të keq, mund të ketë raste të spekulimeve apo abuzimeve që ndikojnë në çmim.
VoltKos, në kuadër të marrëveshjeve me kompani të fuqishme evropiane, ka siguruar që çështja e kapaciteteve ndërkufitare të mos paraqesë pengesë operacionale për klientët tanë. Megjithëse këto përbëjnë një kosto shtesë, ato qëndrojnë brenda një niveli të arsyeshëm dhe janë të menaxhueshme me kujdesin e duhur financiar dhe teknik.